Kryeministri Edi Rama vendosi sot, sërish, në qendër të axhendës publike, çështjen e punësimit.  Kryeministri ishte i pranishëm në inaugurimin e Zyrës së re të Punës në Elbasan, nga ku ritheksoi se rritja e punësimit mbetet objektiv parësor i punës së qeverisë dhe se për këtë ka një strategji të qartë. Kryeministri e vuri theksin në rëndësinë që ka forcimi i lidhjes mes zyrave të punës, biznesit dhe formimit profesional, si instrumente të kësaj strategjie.

Kryeministri nënvizoi se konstatohet se rezultatet e para të kësaj strategjie janë të frytshme. Në vitin 2013, në Zyrat e Punës u punësuan 600 persona, ndërsa vetëm në një muaj, në tre zyra u punësuan 1055 vetë. Sot, në Portalin Kombëtar të Punësimit janë regjistruar nga biznesi, 4 mijë kërkesa për të punësuar.

Edhe në mjediset e Zyrës së Punës në Elbasan, Kryeministri u takua me të sapopunësuar nga kjo zyrë, të cilët pohuan se ata vetë janë dëshmi se këto zyra funksionojnë. “Aktualisht punoj në një zyrë avokatie, si asistente dhe jam shumë e kënaqur,” – u shpreh një e re.

Një tjetër dëshmi ishte ajo e një mesogruaje. “Pas shumë kërkesave në Zyrën e Punës mu mundësua një vend pune si vinçiere. Jam shumë e kënaqur,” – u shpreh ajo që dikur ishte punëkërkuese.

Edhe Ministri Veliaj e vuri theksin në rëndësinë e formimit profesional, interesi për të cilin po rritet. “Nga momenti që ne kemi hequr tarifat për qendrat e formimit profesional, u shumëfishua numri i personave që shkojnë dhe marrin pjesë në qendrat e formimit profesional. Vetëm në Tiranë, brenda një viti trajnoheshin në qendrat e profesionale 189 vetë. Vetëm në një nga qendrat tona, në një javë trajnohen mbi 380 vetë,” – u shpreh Ministri Veliaj.

Elbasani bëhet qyteti i pestë, pas Tiranës, Durrësit, Vlorës dhe Kavajës, ku qytetarët mund t’i drejtohen Zyrës së re të Punës për të kërkuar punë.  Shumë shpejt pritet të hapen zyra të reja pune në Korça dhe Shkodër, ndërkaq brenda vitit, MMSR dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit synojnë të çelin zyra të reja pune në të gjitha rrethet e Shqipërisë.