Kryeministri z. Edi Rama dhe nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, shpallën sot nga qyteti i Fierit aplikimet për Fondin e Nxitjes së Punësimit 2015, nga i cili mund të përfitojnë të gjitha ato biznese që do të punësojnë më shumë njerëz në nevojë, me ndihmë ekonomike, aftësi të kufizuar, gra, vajza e të rinj. Në fjalën e tij, kryeministri Rama vuri në dukje faktin se këtë vit fondi për nxitjen e punësimit është katërfishuar në krahasim me qeverisjen e shkuar.

“Ka një fond të posaçëm për nxitjen e punësimit, i cili u vihet në dispozicion atyre që kërkojnë punë dhe kompanive të ndryshme. Kjo është qasja jonë, që të shohim si t’ia dalim, jo vetëm kur moti tërbohet, por edhe kur lind dielli. Në 2014 nga programet e fondit të nxitjes së punësimit përfituan 361 subjekte dhe u punësuan 4 mijë punëkërkues. Këtë vit fondi është dyfish më i madh”, u shpreh z. Rama.

Ndërkaq, duke marrë shkas edhe nga gjendja e krijuar si pasojë e përmbytjeve, ministri Veliaj bëri të ditur se vetëm për qarqet Fier dhe Vlorë fondi i punësimit shkon në mbi 1 milion dollarë. Ai ftoi bizneset që të punësojnë më shumë banorë nga zonat e përmbytura, pasi në këtë mënyrë mund të marrin një bonus nga fondi i nxitjes së punësimit.

Ai tha se shumë shpejt do të përurohet edhe shkollën e re profesionale “Petro Sota” në Fier, ku nxënësit do të kenë mundësi të mësojnë një zanat, i cili do t’u krijojë më shumë muëndësi punësimit. Z. Veliaj përmendi edhe nismën e e fundit të MMSR-së “Zanate për Shqipërinë”, e cila synon të sjellë në Shqipëri 52 administratorë të huaj për shkollat tona profesionale.

Në vitin 2014, fondi i nxitjes së punësimit u rrit me 300%, duke shkuar nga 90 në 270 milionë lek dhe përmes tij u punësuan 4079 të papunë. Për vitin 2015, fondi i nxitjes së punësimit është rritur sërish duke shkuar në 450 milionë lekë dhe pritet që përmes tij të punësohen rreth 5,500-6000 të papunë. Nga ky fond do të përfitojnë ato kompani që do të punësojnë nga kategori të ndryshme, sidomos gra e vajza, të rinj, persona me aftësi të kufizuara ose nga komuniteti rom dhe egjiptian.

Fondi për nxitjen e punësimit përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, që mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar.