Shërbimi Kombëtar i Punësimit i bashkohet aksionit të drejtuar nga Ministria e Mjedisit për luftën ndaj procesionares së pishës. Drejtori i SHKP, Genci Kojdheli, bën të ditur se mbi 6000 individë nga zonat e Malësisë së Madhe, Matit, Pukës, Bulqizës, Librazhdit, Elbasanit, Gramshit, Korccës e Bilisht po trajnohen dhe do të punësohen për pastrimin mekanik të pishave të infektuara. Sipas tij, me mijëra hektarë pyje do pastrohen, një proces i pakryer ndonjëhere në të shkuarën.

Procesionaria, e njohur si sëmundja e pishave, prej njëzetë vitesh është neglizhuar tërësisht duke bërë që shumë sipërfaqe pyjore të dëmtohen prej saj, dhe nëse nuk bëhet dicka për ta ndaluar pyjet rrezikohen rëndë.

Tashmë u bënë disa ditë që në ambientet e Ministrisë së Mjedisit, ka nisur trainimi i strukturave të cilët do të drejtojnë, monitorojnë dhe supervizojnë punën në kuadër të programit Kombëtar për luftimin mekanik të Procesionares, në katër rajone të vendit tonë (Shkodër, Dibër, Elbasan dhe Korçë). Trajnimi ka si objektiv, përgatitjen e koordinatorëve rajonalë të emëruar nga Ministri i Mjedisit, trainimin e drejtuesve teknikë dhe supervizorëve të këtij operacioni.

Në total janë planifikuar ti nënshtrohen këtij operacioni 6335 Ha pyje në grumbujt pyjor të pishës së zezë, në katër rajonet e sipërpërmendura dhe në projekt përfshihen 33 Njësi të Qeverisjes Vendore, Komuna dhe Bashki.

Nga Njësitë e Qeverisjes Vendore, në bashkëpunim me Zyrën e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, do të punësohen mbi 6000 forca pune.

Tre ministri do të jenë të përfshira në zbatimin e këtij programi kombëtar, për të garantuar zbatimin me sukses të tij: Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ministria e Mjedisit është iniciatore e këtij projekti dhe mbart peshën kryesore në zbatimin e tij.