Europe Agency në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit shpërndanë sot 18 kontrata dhe viza pune për fituesit e aplikimeve për shqiptarët që duan të punojnë jashtë vendit. Në një aktivitet të zhvilluar në ambientet e Zyrës së Punës Tiranë, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genci Kojdheli dhe drejtuesi ekzekutiv i Europe Agency, Ermal Jauri, gjatë komunikimit për mediat bënë të ditur detajet e këtij bashkëpunimi.

Drejtori i SHKP-së, Genci Kojdheli, bëri të ditur se sot është faza e dytë e bashkëpunimit me Europe Agency për rekrutimin dhe dërgimin e shtetasve shqiptarë të interesuar për të punuar në tregun e Emirateve të Bashkuara. “Ky është një treg në zhvillim. Ndoshta një nga tregjet më të mëdha të punës në botë. Dimë që ka kërkesa, por edhe kapacitet në tregun e shqiptar, për të ofruar kapacitete për pozicione në tregun e Emirateve të Bashkuara. Bashkëpunimi jonë ka qenë konstant që nga muaji shtator i vitit 2014, ku kemi dërguar 45 persona vitin e kaluar. Këtë vit janë 40 persona që do të nisen sëshpejti. Profesionet e kërkuara janë shumë, si shoferë taksie, recepsionist, punonjës në hotele, punonjës në industrinë e shërbimit dhe prodhimit etj,.”, – deklaroi Kojdheli. Ai ftoi që të gjithë njerëzit e interesuar të aviten pranë sporteleve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit, dhe ky institucion më pas të bëjë filtrimin dhe komunikimin me Europe Agency, dhe organizma të tjerë të interesuar.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit ka ngritur një grup pune sëbashku me Europe Agency për të nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi zyrtare midis dy institucioneve që të sigurojnë që të gjithë shqiptarët të cilët shkojnë për të punuar në Emiratet e Bashkuara të jenë të mbrojtur nga të drejtat e punës, të kenë të garantuar fluturimin, akomodimin dhe ngrënien.

“Kjo marrëveshje do të bëhet për të siguruar një pozicion pune dinjitoz dhe sigurisht për t’iu treguar shqiptarëve të tjerë, ndoshta të dëshpëruar, që po marrin rrugët e azilit, që ka opsione shumë më të mira se sa azilimi i pashpresë, por ka vende pune të mirëpaguara në tregje pune si në Emiratet e Bashkuara”, – sqaroi Kojdheli.

Drejtor ekzekutiv i Europe Agency, Ermal Jauri, bëri të ditur se bashkëpunimi me Shërbimin Kombëtar të Punësimit vijon që nga viti i kaluar, duke mundësuar rekrutimin e shumë punëkërkuesve nga zyrat e punës në të gjithë vendin. “Sot jemi pikërisht për të dhënë kontratat dhe vizat e punës për grupin që do të nisen ditën e mërkurë (22.04.2015) dhe që do të punojnë për Sheraton Hotel në Abu Dabi. Këto intervista janë kryer drejtpërdrejt me punëdhënës të huaj. Janë punëdhënës të huaj që kanë kërkuar intervistat e drejtpërdrejta në Shqipëri me punëkërkues që kanë aplikuar më parë tek zyrat e punës. Brenda javës së kaluar janë përzgjedhur rreth 57 persona, nga të cilët 18 persona janë zgjedhur që fluturojnë nesër për në Abu Dhabi”, – deklaroi Jauri.

Ai sqaroi se në bazë të Kodit të Punës në Emiratet e Bashkuara Arabe, punëdhënësi mbulon akomodim, siguracion dhe të gjitha përfitimet që kanë në vendin e punës, si dhe pagat që janë të kënaqshme. Sipas tij, kjo mundësi është e hapur për të gjithë dhe në bazë të ligjit të emigracionit të Emirateve të Bashkuara Arabe, çdo shtetas i çfarëdo kombësie qoftë që ka mbushur 19 vjeç dhe është deri më 42 vjeç, ka të drejtë që të marrë leje pune dhe një leje qëndrimi në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në total janë intervistuar 69 punëkërkues dhe janë përzgjedhur për të qenë pjesë e stafit Sheraton Hotel Abu Dhabi, 18 punëkërkues nga Zyra e Punës Tiranë dhe Elbasan.