Shërbimi Kombëtar i Punësimit zhvilloi analizën e punës së bërë për vitin 2014 dhe prezantoi sfidat për vitin 2015. Në këtë aktivitet të zhvilluar në ambientet e kompanisë “Hako” ishte i pranishëm dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj.

Drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genci Kojdheli, në fjalën e hapjes, shprehu “krenarinë që një institucion si SHKP është vërtetë dinjitoz në performancën e vet, që ia del mbanë të përmbushë direktivat, udhëzimet dhe sfidat që na vendos Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë”.

“Them që jam krenar sepse ia kemi dalë mbanë që të arrijmë një performancë, ia kemi dalë mbanë të jemi efiçent në vitin tonë të parë të këtij mandati qeverisës. Kemi pasur më pak staf, por u kemi shërbyer më shumë njerëzve. Kemi pasur më pak staf, por u kemi dhënë fonde të nxitjes së punësimit më shumë kompanive. Shtatë herë më shumë kompani kanë aplikuar për fondin e nxitjes së vitit 2014, në krahasim me vitin e 2013”, – deklaroi Kojdheli.

Përgjatë vitit 2014, pesë herë më tepër kompani kanë marrë më tepër programe nxitje këtë vit krahasimisht me vitin 2013. Nga ky program, 3000 persona kanë gjetur një vend pune përmes programit të nxitjes së punësimit për vitin që lamë pas.

“Unë jam krenar që më shumë se 85% e njerëzve që kanë vizituar Shërbimin Kombëtar të Punësimit kanë marrë një pritje dinjitoze nga punonjësit tanë. Ndoshta jo gjithkujt ia kemi zgjidhur hallin, por kemi ditur t’i presim me mirësjellje, me një fjalë të ngrohtë” – bëri të ditur Genci Kojdheli.

Gjatë vitit 2014 janë shpallur rreth 30 vende të lira pune. Janë ndërmjetësuar me sukses mbi 15 mijë vende pune në të gjithë vendin dhe SHKP u ka ofruar shërbime 36697 punëdhënësve në të gjithë vendin. Për vitin 2015 ka një rishikim të fondit për programit të nxitjes së punësimit.  Gjithashtu, do të ketë gjashtë zyra të reja përgjatë vitit 2015.

Në këtë aktivitet, Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, tha se gjatë vitit 2014 është bërë shumë për punësimin, ndërsa këtë vit fokusi do të jetë te banorët e zonave malore dhe ato rurale. Sipas tij, papunësia në këto zona është një plagë e ndjeshme dhe pikërisht për këtë vëmendja e qeverisë gjatë 2015 do të jetë më e madhe.

PER ME SHUME INFORMACION SHKARKO FLETEPALOSJEN –> BILANCI SHKP 2014 – OBJEKTIVAT 2015