Të gjithë punëkërkuesit dhe punëdhënësit e qytetit të Durrësit kanë mundësinë t’i drejtohen një zyre të re punësimi, ku mund të informohen për tregun e punës apo për vendet e lira të punës. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinise, me mbështetjen financiare të “Biznes Albania” dhe “Pespa-Al”, përuroi sot Zyrën e re të Punës në qytetin bregdetar, duke përmbushur një tjetër prioritet të MMSR-së në lidhje me fushën e punësimit.

Në përurimin e zyrës së re, përveç Ministrit të MSR-së, z. Erion Veliaj, mori pjesë edhe Kryeministri, z. Edi Rama, të cilët vunë theksin në domosdoshmërinë e pasjes së një zyre funksionale pune, pikërisht pse punësimi është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, sidomos i të rinjve shqiptarë.

“Ashtu si në Tiranë, edhe këtu në Durrës njerëzit as nuk e dinin se ku binte zyra e punës. Ajo ndodhej në një rrugë qorre të qytetit, në një shtëpi private, ku zor se ta kapte syri. Me hapjen e zyrave të reja kemi hyrë në një erë të re. Kanë kaluar vetëm 120 ditë dhe kjo është zyra e dytë e punës, kur brenda vitit synojmë hapjen e tyre në çdo qark të vendit”, u shpreh z. Veliaj.

Ai vuri në dukje se nga eksperienca e këtyre ditëve në zyrën e re të punës në Tiranë, është vënë re se 90% e vendeve të punës që reklamohen aty kërkojnë punonjës me arsim profesional. “Për ata prindër që do të marrin vendimin e rëndësishëm se në ç’shkollë duhet t’i çojnë fëmijët e tyre në shtator, është e rëndësishme të kuptojnë se çfarë profesionesh kërkon sot tregu i punës, çfarë punësh ofron dhe cilat janë qasjet e biznesit në Shqipëri. Harxhimi i kohës dhe i parave në arsimin e përgjithshëm, ndoshta nuk është një zgjedhje fort inteligjente. Arsimi profesional është mënyra e duhur”, tha z. Veliaj.

Z. Veliaj falenderoi “Biznes Albania” dhe “Pespa-Al” për kontributin e tyre në çeljen e zyrës së punës në Durrës, duke theksuar se sa i takon çështjeve të punësimit biznesi dhe qeveria do të jenë partner kryesorë. “Teksa sot ka një frymë që përpiqet ta cysë biznesin kundër qeverisë për çështje taksash, të mos harrojmë se kjo qeveri po kënaq interesat e biznesit kur bëhet fjalë për kthimin e borxhit, heqjen e barrierave apo lehtësimin e burokracive. Sot jemi në fazën kur shoqatat e biznesit financojnë projektet e shtetit”, deklaroi Ministri Veliaj.

Zyra e re moderne e Punës në Durrës mishëron një qasje të re mbi shërbimin e punësimit në Shqipëri dhe për herë të parë ajo ofron të njëjtin shërbim me zyra të ngjashme në vendet e Bashkimit Evropian, duke pasqyruar metodat e suksesshme të miratuara nga shërbimet evropiane të punësimit. Kjo zyrë ka për qëllim të ofrojë një qasje më të fokusuar ndaj klientit, duke përfshirë standardet e përmirësuara të ofrimit të shërbimeve.

Për të lehtësuar këtë qasje është ristrukturuar procesi i shpërndarjes së shërbimeve, shërbimi në këtë zyrë ofrohet në tre nivele, në përputhje me modelin e ri të ofrimit të shërbimeve:

1. Ofrohet informacion mbi çështje të lidhura me tregun e punës, të cilat mund të aksesohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga klienti dhe publiku;

2. Ofron shërbime bazë duke përfshirë regjistrimin, këshillimin dhe ndërmjetësimin;

3. Ofrohet orientim i specializuar dhe këshillim i thelluar, që kërkojnë input të konsiderueshëm nga stafi i zyrës.

Për të kërkuar punë, të gjithë qytetarët e interesuar mund t’i drejtohen faqes www.puna.gov.al. Aty do të gjejnë mundësi të reja punësimi, ndërkaq aktualisht në këtë faqe janë publikuar 2922 vende të lira pune.