Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Panairin e Punës 2015, i çelur prej tre ditësh në Tiranë, nën kujdesin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Në Panairin, në të cilin u ofruan 5500 vende reale pune, vetëm gjatë ditës së parë të tij janë ndërmjetësuar me sukses 880 punësime të reja, nga kompani prestigjioze, biznese të mëdha dhe të vogla, të cilat prezantuan vendet e lira të punës dhe intervistuan drejtpërsëdrejti qytetarët e interesuar.

Spektri i mundësive shtrihet nga punët më të thjeshta deri tek punët që kërkojnë specialistë të lartë.

Kryeministri Rama vizitoi stendat dhe u takua me sipërmarrës dhe punëkërkues, të cilët treguan mbi përvojat e tyre.

Një nga projektet për të cilat Kryeministri u interesua veçanërisht ishte ai i nxitjes së punësimit të personave me aftësi të kufizuar, i cili po vihet në zbatim me ndihmën e Fondit të ngritur për këtë qëllim të vënë në dispozicion nga ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Kryeministri u takua me një prej të punësuarave, e cila shprehu kënaqësinë që ndihej njësoj si të tjerët në vendin e saj të punës. Zbatimi i këtij programi ka rezultuar i suksesshëm në disa qytete si Shkodër, Elbasan, Tiranë.

Kryeministri u takua edhe me sipërmarrës të huaj, të cilët ushtrojnë prej vitesh aktivitetin e tyre në Shqipëri dhe nga viti në vit kanë rritur numrin e punësuarve shqiptarë. Njëri prej tyre, sipërmarrës turk, e informoi kryeministrin se ndërmarrjen e tij, e cila aktualisht kishte 1200 të punësuar, nga ku 900 shqiptarë, do ta shtonte së shpejti me 1000 punonjës të rinj dhe për të gjetur këtë kategori të re të të punësuarish ishte në këtë panair.

Ndrësa Dritani i diplomuar për ekonomi-biznes, nga punëkërkues, ndodhet sot në panair si përfaqësues i një ndërmarrjeje që ofron punë. Ai u punësua në këtë sipërmarrje në Panairin e Punës së vitit të kaluar. “Si sot një vit më parë jam paraqitur tek Panairi i Punës. Jam paraqitur tek stenda e Delta Group. Jam marrë në intervistë nga stafi dhe tani kam marrë pozicionin e menaxherit të shitjeve tek Deutche Color. Sot jam pjesë burimeve njerëzore.” u shpreh ai gjatë bisedës me Kryeministrin.

Duke garantuar mbështetjen e qeverisë në nxitje të punësimit, Kryeministri kërkoi nga qytetarët që ta kërkojnë punën, pasi mundësitë janë. “Njerëzit duhet të bien më pak pre e propagandës që “s’ka, s’ka” dhe duhet të vrapojnë më shumë për t’i kapur këto mundësi që kanë, të cilat nuk e ezaurojnë të gjithë problemin, pasi problemi është më shumë se kaq, por që ezaurojnë problemin e shumë njerëzve të veçantë. Ne jemi në mbështetjen tuaj për çdo gjë që kërkoni të bëjmë,” iu drejtua Kryeministri Rama sipërmarrësve dhe të rinjve që gjendeshin në këtë panair.