Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Agjencisë gjermane të Punësimit dhe bizneseve vendase, përuroi sot Zyrën e re të Punës në Tiranë. Zyra e Punës vjen si projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i zbatuar nga ILO, dhe është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në lidhje me fushën e punësimit.

Përveç Ministrit të MSR-së, z. Erion Veliaj, në inaugurimin e Zyrës së Punës në Tiranë mori pjesë edhe Kryeministri z. Edi Rama, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Ettore Sequi, Drejtori i Agjencisë gjermane të Punës, z. Frank Weise, e përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik në vend.

Në fjalën e tij, Ministri Veliaj vuri theksin në domosdoshmërinë e pasjes së një zyre funksionale pune, pikërisht pse punësimi është një nga prioritetet e qeverisë shqiptare, sidomos i të rinjve shqiptarë. “Për një kohë të gjatë njerëzit as nuk e dinin se ku ishte zyra e punës. Ajo ndodhej në një cep të humbur të Tiranës, ku askush nuk e gjente. Ky realitet është edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Qeveria e ka tre fishuar fondin e punësimit dhe shumë shpejt do të hapim një konkurs për kompanitë të cilat duan ta aksesojnë këtë fond dhe të shpërblehen në bazë të punonjësve që do të punësojnë dhe në bazë të vendeve të punës që do të hapin”.

Z. Veliaj theksoi se me Zyrën e re të Punës fillon një marrëdhënie e re të qytetarëve me shtetin. “Është shumë e rëndësishme që të ofrojmë një shërbim dinjitoz për punëdhënësit dhe punëkërkuesit në të gjithë Shqipërinë, ku njerëzit marrin një përgjigje. Në mungesë të një vendi pune, qytetarët do të marrin një kupon, i cili u mundëson një kurs falas në qendrat e formimit professional, çka do t’i bëjë të aftë për nevojat e tregut të punes”, tha ai.

Zyra e parë moderne e Punës në Tiranë mishëron një qasje të re mbi shërbimin e punësimit në Shqipëri dhe për herë të parë ajo ofron të njëjtin shërbim me zyra të ngjashme në vendet e Bashkimit Evropian, duke pasqyruar metodat e suksesshme të miratuara nga shërbimet evropiane të punësimit. Kjo zyrë ka për për qëllim të ofrojë një qasje më të fokusuar ndaj klientit, duke përfshirë standardet e përmirësuara të ofrimit të shërbimeve.

Për të lehtësuar këtë qasje është ristrukturuar procesi i shpërndarjes së shërbimeve, shërbimi në këtë zyrë ofrohet në tre nivele, në përputhje me modelin e ri të ofrimit të shërbimeve:

1. Ofrohet informacion mbi çështje të lidhura me tregun e punës, të cilat mund të aksesohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga klienti dhe publiku;

2. Ofron shërbime bazë duke përfshirë regjistrimin, këshillimin dhe ndërmjetësimin;

3. Ofrohet orientim i specializuar dhe këshillim i thelluar, që kërkojnë input të konsiderueshëm nga stafi i zyrës.

Kjo zyrë do të mundësojë:

  • regjistrimin dixhital të punëkërkuesve dhe punëdhënësve;
  • përmirësimin e efikasitetit të procesit të ndërmjetësimit;
  • përshkrimin dhe përditësimin e vendeve të lira të punës;
  • ndjekjen efektive të të gjitha aplikimeve;
  • aksesin në linjë të shërbimeve për qëllime të regjistrimit dhe të kërkimit të vendeve të lira të punës.

Për të kërkuar punë, të gjithë qytetarët e interesuar mund t’i drejtohen faqes www.puna.gov.al. Aty do të gjejnë mundësi të reja punësimi, ndërkaq aktualisht në këtë faqe janë publikuar 2180 vende të lira pune.