TIRANE, Shqipëri ‒ Me rënien e diktaturës komuniste njëzet vjet më parë, Greqia, Italia dhe shumë vende të tjera të Evropës u shndërruan në tokën e premtuar për qindra mijëra punëtorë shqiptarë.

Por, ata që përjetuan lulëzimin në Evropë, ishin gjithashtu të parët që u shndërruan në viktima të krizës financiare, e cila shpërtheu në 2008. Tani shumë shqiptarë po kthehen në vendin e tyre dhe sot, janë grekët e papunë ata që kërkojnë punë në Shqipëri.

Arsyeja është e thjeshtë: papunësia kapi një shifër rekord në Greqi me 27.3 përqind vitin e kaluar, krahasuar me rreth 13.9 përqind e shqiptarëve të papunë në 2012.

Edmond Aliaj, 46 vjeç, është një nga emigrantët shqiptarë që u kthye në shtëpi. Ai kaloi 17 vjet të jetës së tij në Itali, por për shkak të krizës ekonomike humbi punën në departamentin e logjistikës në një kompani italiane në Milano.

“U detyrova të kthehesha në Shqipëri. Më drejtuan tek Zyra e Punës në Tiranë dhe pas një jave mora një ofertë të papritur… për të njëjtën punë që bëja edhe në Milano,” thotë ai.

Oferta për punë i erdhi nga zyra e parë moderne e punës në Shqipëri, e cila u hap në kryeqytet muajin e kaluar me mbështetjen e ILO-s dhe Bashkimit Evropian.

“Punëkërkuesve dhe punëdhënësve shqiptarë u kanë munguar këto zyra të dobishme pune për një kohë të gjatë. Me ndikimin e madh të krizës ekonomike dhe shoqërore në Evropë, ato janë shndërruar në pika shumë të rëndësishme,” thotë Maria do Carmo Gomes, këshilltarja teknike e ILO-s në Shqipëri.

Zyra e re e punës gjendet në qendër të Tiranës, lehtësisht e gjetshme dhe ofron një gamë të gjerë shërbimesh.

Kjo përfshin akses direkt në informacionin online mbi tregun e punës, regjistrimin, këshillim për punëkërkuesit, ndërmjetësim dhe këshillim për grupet vulnerable. Zyra ndërmjetëson gjithashtu profile të punëkërkuesve për punëdhënës potencialë.

 

Më shpejt drejt një pune të re

CV-ja e Eriselda Sherifit tërhoqi menjëherë interesin e një kompanie farmaceutike. Ajo u diplomua në Universitetin e Bolonjës në Itali.

Kur u kthye në Shqipëri, dëgjoi për hapjen e e Zyrës së re të Punës në Tiranë dhe dorëzoi CV-në e saj aty. “Pas dy ditësh, mora përgjigje pozitive dhe sot punoj në farmaci. I jam shumë mirënjohëse zyrës së punës,” thotë ajo.

Stafi i zyrës së punës është trajnuar të ndihmojë të gjitha kategoritë e punëkërkuesve, që nga punëtorët e aftë si Edmondi, deri tek të diplomuarit e kualifikuar si Eriselda.

“Modeli ynë i shërbimit bazohet mbi praktikat më të mira të zyrave të punës në Evropë. Presim që të ndryshojë rrënjësisht programet e punësimit dhe trajnimit në Shqipëri, dhe të përputhet sa më mirë me nevojat e punëkërkuesve dhe punëdhënësve,” shpjegon Peter Woods, eksperti i ILO-s që po ndihmon në projektin IPA për Zhvillimin e Burimeve Njerëzore në Shqipëri.

Programi pilot që po zbatohet në kryeqytet do të përmirësohet shpejt dhe brenda vitit do të ndiqet edhe me hapjen e zyrave të reja të punës në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë.

Këto zyra moderne pune dhe të orientuara drejt shërbimeve do të zëvendësojnë zyrat e vjetra të punës në të gjithë vendin.