Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar i Punësimit, Genci Kojdheli, reagoi sot përmes një deklarate për shtyp mbi akuzat e bëra nga Partia Demokratike për funksionimin e zyrave të punës. Përmes shifrave, ai faktoi diferencën e dukshme të punës së bërë gjatë periudhës janar – korrik 2014 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit më parë. Sipas tij, është qesharake të akuzosh qeverinë për hapjen e zyrave të reja të punës, ku qytetarëve u shërbehet me kulturë, cilësi dhe standarde europiane, kur nën qeverinë e kaluar zyrat e punës ishin në gjendje të mjeruar, nëpër gjirize të fshehura larg syrit dhe aksesit të punëkërkuesve.
Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të dhënë për mediat:

Në përgjigje të akuzave të ardhura dje nga Partia Demokratike lidhur me mungesën e politikave të punësimit, do doja së pari të bëja disa sqarime për publikun, e më pas të paraqisja disa shifra lidhur me 6-mujorin e parë të vitit 2014.

Së pari, Zyra e Punës dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit nuk ka asnjë kompetencë lidhur me punësimin e qytetarëve në administratën publike, por ka fokus tek ndërmjetësimi i vendeve të lira të punës të bizneseve private.

Së dyti, Shërbimi Kombëtar i Punësimit është vetëm njëri prej aktorëve ndërmjetësues në tregun e punës në Shqipëri, krahas 10-tra operatorëve privatë! Kohës kur të gjithë shqiptarëve u gjente punë shteti me detyrim-përcaktim ka më tepër se dy dekada që i ka ardhur fundi!

Së treti, është qesharake të akuzosh qeverinë për hapjen e zyrave të reja të punës, ku qytetarëve u shërbehet me kulturë, cilësi dhe standarte europiane, kur nën qeverinë e kaluar zyrat e punës ishin në gjendje të mjeruar, nëpër gjirize të fshehura larg syrit dhe aksesit të punëkërkuesëve. Lejomëni t’ju kujtoj që të 8-të zyrat e reja të punës të hapura gjatë vitit 2014 i kanë kushtuar buxhetit të shtetit ZERO lekë, pasi janë bërë me kontributin tepër bujar të biznesit privat, i cili sheh tek Shërbimi Kombëtar i Punësimit një partner real ku merr shërbime cilësore.

Për të vërtetuar sa më lart, lejomëni të prezantoj disa shifra zyrtare që krahasojnë 6-mujorin e parë të  vitit 2013 dhe vitit 2014.

Në periudhën Janar – Korrik 2013, zyrat e punës shpallën 7781 vende të lira pune në nivel kombëtar.

Në periudhën Janar – Korrik 2014, zyrat e punës shpallën 17651 vende të lira pune në nivel kombëtar, ose gati 10 mijë vende pune të lira më shumë se një vit më parë.

Në periudhën Janar – Korrik 2013, zyrat e punës ndërmjetësuan 6300 vende pune në nivel kombëtar.

Në periudhën Janar – Korrik 2013, zyrat e punës ndërmjetësuan 9100 vende pune në nivel kombëtar, ose gati 3000 vende punë më shumë se një vit më parë.

Në periudhën Janar – Korrik 2013, u disbursua fondi i nxitjes së punësimit prej 900 mijë dollarë, fondi më i ulët i alokuar për nxitjen e punësimit në gjithë historinë e Shërbimit Kombëtar të Punësimit. Nga ky fond përfituan 68 biznese, e u punësuan 750 punëkues të papunë.

Në periudhën Janar – Korrik 2014, u disbursua fondi i nxitjes së punësimit prej 2.7 milionë dollarë, tre herë më i lartë se viti i kaluar. Ndryshe nga vitet e shkuara, konkursi për marrjen e fondeve të nxitjes u bë publik, përmes procedurave online dhe vlerësimit me pikëzim për bizneset aplikues. Teksa fondi ishte 3 herë më i lartë se viti 2013, në vitin 2014 aplikuan plot 345 biznese, ose 5 herë me tepër se viti i kaluar, dhe u punësuan më tepër se 3000 punëkërkues të papunë.

 

Sigurisht që ne nuk mund të pretendojmë që të mbyllim qysh në vitin e parë plagët e punësimit që na la peshqesh qeveria e kaluar, por është e sigurtë që po bëjmë shumë herë me tepër se paraardhësit tanë, dhe shifrat janë tregues të qartë të këtij fakti. Le të mos harrojmë gjithashtu që Partia Demokratike nuk është kudo në opozitë; në kryeqytet për shembull Bashkia e Tiranës i përket PD-së dhe i ka të gjitha mundësitë që të jetë një aktor aktiv në tregun e punës. Fatkeqësisht, faqja e ndërmjetësimit për punë e Bashkisë Tiranë nuk është funksionale prej muajsh tanimë, dhe punonjësit e zyrës së punës së bashkisë mezi po presin përfundimin e punimeve të linjës së tramvajit për të deklaruar 10 mijë punësimet që u janë premtuar qytetarëve tiranas.  Ju faleminderit!