INSTAT në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Punësimit prezantuan sot studimin mbi koston e punës për vitin 2013 dhe tregun e punës për vitin 2014. I pranishëm në këtë takim, drejtori i Shërbimit Kombëtar të Punësimit, Genci Kojdheli, vlerësoi se këto informacione janë shumë të rëndësishme për ekonomistët dhe ekspertët e tregut të punës.

Drejtori i Përgjithshëm të INSTAT, Gjergji Filipi, prezantoi më hollësisht gjetjet e studimit, duke vlerësuar se në Shqipëri kostoja mesatare për orë pune, në një vend pune me kohë të plotë, është 2.2 euro. “Ndërkohë që vendi i parë në grafik është Norvegjia, me 57.1 euro, ndërsa vendi i parafundit, pas Shqipërisë, është Bullgaria me koston 3.4 euro për orë pune. Kjo do të thotë 62.8 për qind më e lartë se kostoja në vendin tonë. E parë me këtë sy nga një investitor global, është e qartë se çfarë avantazhi konkurrues për nga kostoja e vendit të punës ofron Shqipëria”, deklaroi Gjergj Filipi, drejtoi i INSTAT.
Për këtë çështje, Drejtori i SHKP-së, Genci Kojdheli, nënvizoi se është evidente që për investitorët e huaj, Shqipëria është një vend atraktiv për sa i përket rrogave. “Por, që ne të bëjmë një hark cilësor në nivelin e investimeve të huaja edhe në industrinë fasone, një pjesë e mirë të tyre kërkojnë një rritje të aftësisë teknike të punëtorit mesatar dhe janë të gatshëm të rrisin edhe rrogat. Kjo do të nënkuptojë edhe një diverisifikim të produkteve që industria fasone do të prodhojë në Shqipëri”, – deklaroi Kojdheli. Sipas tij, në vend që të kemi një thjesht cikël të plotë të një produkti, ka kompani të gatshme të paguajnë edhe më shumë se sa këtë 2,2 eurosh, por me parakushtin që forca punëtore teksa kushton pak të jetë më shumë e kualifikuar.
“Kjo ka kërkuar edhe një vëmendje shumë të madhe, që i është dhënë përmes angazhimit profesional. Sigurisht që ne po presim gjithnjë e më shumë nga biznese inpute për të na sjellë kurrikala të reja të formimit të shqiptarëve qoftë në shkolla profesionale, qoftë në qendrat e formimit profesional. Kjo mund të na sjellë kapërcimin cilësor”, – nënvizoi Genci Kojdheli, drejtor i Shërbimit Kombëtar të Punësimit.