Duke filluar nga sot, qytetarët shqiptarë të Republikës së Kosovës dhe shtetasit e Republikës së Serbisë të përkatësisë etnike shqiptare (Lugina e Preshevës) nuk kanë nevojë të aplikojnë për leje pune për të punuar në Shqipëri. Vendimin e sotëm të Këshillit të Ministrave, për heqjen e lejeve të punës, e publikoi Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, i cili e quajti këtë hap një lajm të mirë dhe një premtim të mbajtur.

“Me këtë vendim, qeveria shqiptare iu përgjigj pozitivisht kërkesës së bërë nga një përfaqësi e studentëve të shoqatave studentore të Luginës së Preshevës, të cilët studiojnë në Tiranë. Qeveria e kaluar i trajtonte ata sipas ligjit për të huajt dhe punësimin e të huajve, ndërsa qeveria jonë nuk i konsideron si të huaj qytetarët e Luginës së Preshevës”, deklaroi z. Veliaj, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së qeverisë.

Kështu, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe shtetasit e Republikës së Serbisë të përkatësisë etnike shqiptare nuk kanë nevojë të ndjekin një proces burokratik aplikimesh për të marrë një leje pune sepse VKM-ja e sotme ia ofron mundësinë për të punuar në Shqipëri çdo shtetasi nga Kosova dhe Lugina e Preshevës. “Kjo është arsyeja pse çdo student, djalë apo vajzë e re që studion në Shqipëri dhe gjen një vend pune, do ta bëjë këtë pa burokracinë e kërkimit të lejeve të punës ose përshtatjes me kuotat e punësimit të punëtorëve të huaj që ka Shqipëria me vendet e tjera”, u shpreh ministri Veliaj.

Sipas tij, pjesa më e madhe e kërkesave për leje të punës vijnë nga biznese të vogla e të mesme të cilat krijojnë vende të reja pune. “E di që kritikët thonë se nuk ka vende pune mjaftueshëm për qytetarët e Shqipërisë, e jo më për ata të Kosovës dhe Preshevës, por dua t’ju informoj se 80% e kërkesave që ne kemi për leje pune në Shqipëri nga shtetasit e Republikës së Kosovës ose Luginës së Preshevës vijnë nga biznesmenë. Pra, njerëz që aplikojnë dhe krijojnë vende të reja pune teksa ngrejnë bizneset e tyre”, nënvizoi z. Veliaj.

DOKUMENTET E BASHKANGJITUR