Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, hapi sot konkursin për fondin prej 2.7 milion dollarësh për nxitjen e punësimit, nga e cili përfitojnë ato kompani që do të punësojnë punëtorë nga kategori të ndryshme, sidomos gra e vajza, të rinj, persona me aftësi të kufizuara ose nga komuniteti rom dhe egjiptian. Fondi për nxitjen e punësimit përbëhet nga gjashtë programe të ndryshme, që mbështesin krijimin e vendeve të reja të punës duke subvencionuar punëdhënësit me pagesën e sigurimeve shoqërore për një vit dhe katër paga për çdo punonjës të punësuar.

“Sot ky fond nuk harxhohet për pikniqe e koncerte, si katër vjet më parë. Por, 70% e tij do të shpenzohet për ato kompani që punësojnë të rinj, gra e vajza. 2.7 milion dollarët e fondit të punësimit synojmë t’i shpërndajmë në mënyrë proporcionale në të gjithë vendin, duke i dhënë prioritet veriut të Shqipërisë dhe zonave rurale”, deklaroi z. Veliaj, teksa prezantoi gjashtë programet e këtij fondi në Panairin e Punësimit 2014.

“Në dallim nga qeveria e kaluar, kur fondi përdorej për qoka politike midis drejtorëve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe bizneseve që ishin afër qeverisë, sistemi i sotëm është transparent, botohet në mënyrë elektronike dhe të gjithë kanë mundësi, jo vetëm të aplikojnë, por të shohin se kush ka përfituar nga fondi i nxitjes së punësimit, e madje sa janë punësuar nëpërmjet këtij programi”, vijoi ai.

Sipas ministrit Veliaj, qeveria i është përgjigjur me transparencë kërkesës së biznesit për ta ulur nga 30 në 10 ditë kthimin e përgjigjes për ato kompani që aplikojnë për të përfituar nga ky fond. “Jo vetëm që gjërat kanë ndryshuar shumë në 6 muaj, por statistikat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se nga tetori i vitit të kaluar e deri në fund të prillit, janë 25 mijë të siguruar dhe vende të reja pune”, tha z. Veliaj.

Ai nënvizoi se Panairi i Punësimit 2014 ofron 6 mijë vende të reja pune, të cilat në fakt janë 6 mijë mundësi reale për punësim. “Dua t’iu kujtoj se në 1 majin e katër viteve më parë opozita bënte grevë urie në bulevard, kurse qeveria shpenzonte 500 mijë euro për koncerte dhe pikniqe si kundërpërgjigje ndaj opozitës. Ndërsa, sot ne kemi ngritur një panair pune për qytetarët”.

“Vendet e punës që ofrohen në panair janë të shumëllojshme, duke filluar nga inxhinierë për kompanitë e infrastrukturës, në industrinë e komunikimit, për mjekë dhe infermierë në spitalet private, për kimistë ushqimorë, e për shumë kompani të tjera që ofrojnë ‘Made in Albania’. Ndërsa, për ata që nuk e kanë ende arsimin e nevojshëm, kompanitë fasone dhe të telekomunikacionit janë ideale”, u shpreh ministri Veliaj. Ai tha se me paketën e re të fasoneve, është aprovuar edhe një fond tjetër prej 5 milion dollarë nga tatimi i fitimit që do t’i rikthehet industrisë për vende të tjera pune.

Një ditë më parë, qeveria miratoi programin për punësimin e personave me aftësi të kufizuara, sipas të cilit nga fondi i nxitjes së punësimit mbulohet paga e plotë për 6 muajt e parë, dhe gjysma e pagës për 6 muajt e dytë të vitit. Nga ana tjetër, çdo kompani që punëson një person me aftësi të kufizuara përfiton një shumë nga 1 deri në 2 milion lekë, për të krijuar aksesin e nevojshëm në vendin e punës për njerëzit e kësaj kategorie.

Më shumë informacion mbi Programet e Fondit të Nxitjes së Punësimit

Dokumentet e bashkangjitur