Aplikimet për të përfituar nga gjashtë programet e fondit të nxitjes së punësimit do të vazhdojnë deri në 15 maj. Me këto fjalë, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, çeli sot ditën e tretë të Panairit të Punësimit 2014, duke ftuar të gjitha kompanitë e bizneset të aplikojnë për të përfituar nga fondi 2.7 milion dollarë.

Programet kanë të bëjnë me punësimin e të rinjve, grave dhe grave, njerëzve me aftësi të kufizuara, ata që jetojnë me ndihmë ekonomike, që duan të trajnohen nëpërmjet punës, apo për të diplomuarit që duan të kryejnë një praktikë të paguar. “Siç kemi premtuar, deri në 25 maj do të publikojmë në mënyrë transparente kompanitë që përfitojnë nga ky fond, sipas pikëve që do të marrin, planit të biznesit që kanë ofruar, sasisë së punëtorëve që kanë punësuar dhe zonës ku ndodhet ky biznes”, tha z. Veliaj në fjalën e tij.

Sipas tij, një vëmendje e veçantë për punësimin do t’i kushtohet edhe zonave të thella të vendit, si Erseka apo Hasi, për të nxitur biznesin, pasi vështirësitë ekonomike apo kostot e investimit janë më të larta se në zonat e tjera. “I kemi kthyer fytyrën e vërtetë njerëzore zyrave të punës, Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe këtij panairi, e do të vazhdojmë ta bëjmë këtë sepse është gjithmonë më mirë të ndihmosh disa njerëz se sa asnjë”, u shpreh ministri Veliaj.

Duke iu referuar kritikave të opozitës se Panairi i Punësimit nuk ofron realisht punë, z. Veliaj tha se “ka një dallim shumë të madh midis organizimit të një panairi si ky dhe organizimit të koncerteve dhe pikniqeve në tetë vitet e shkuara. Ndaj, sfida për ata që kritikojnë është që nëse dinë të bëjnë diçka le ta tregojnë me vepra konkrete. Pse nuk mund të organizojë opozita, bashkia, SHQUP-i një panair që të punësojë në mos 6 mijë njerëz, të paktën 600, mos 600 të paktën 60, ose vetëm 6? Pra, më mirë diçka se sa asgjë! Ndaj unë jam shumë krenar për këtë Panair”, deklaroi ai.

Z. Veliaj tha se kompanitë që kanë projekte infrastrukturore, që ndërtojnë rrugë ose hidrocentrale, kërkojnë teknikë dhe inxhinierë, rroga e të cilëve e kalon atë të një deputeti apo ministri. “Por, këto punë janë për njerëz që dinë t’i bëjnë dhe duan t’i bëjnë ato, e jo për njerëz që preferojnë më mirë një rrogë shteti 300 mijë lekë. I ftoj të gjithë zëdhënësat e SHQIP-it, të cilët sot janë pronarë të shumë konçensioneve, që të tregojnë me shembuj personalë punësimin e njerëzve të thjeshtë, e jo vetëm militantë partiakë”.

Panairi i Punësimit 2014 do të mbyllet ditën e dielë, për të vijuar më pas me organizime të tilla edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.