Me mbi 80 kompani dhe 6 mijë vende të reja pune, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, çeli sot zyrtarisht “Panairin e Punësimit 2014”, një ambient i ndërtuar në formën e një zyre punësimi, ku gjatë tre ditëve në vazhdim qytetarët kanë mundësi të njihen me tregun e punës.

Në fjalën e tij, ministri Veliaj shprehu kënaqësinë për organizimin e një panairi të tillë, i ideuar në formën e një tregu të madh pune, ku ka realisht punësim qytetarësh. “Megjithë situatën e vështirë, parashikimet e FMN-së për Shqipërinë janë pozitive dhe me rritje ekonomike prej 2.2 % këtë vit. Por, pyetja është: si do të ndikojë në punësim kjo rritje ekonomike? Jam shumë i lumtur që sipas statistikave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, nga tetori i vitit të kaluar e deri sot, numri i njerëzve të siguruar dhe i vendeve të reja të punës ka kapur shifrën 25 mijë”, deklaroi z. Veliaj.

Duke prekur paketën e fondit prej 2.7 milion dollarësh për nxitjen e punësimit, konkursi për të cilin do të prezantohet zyrtarisht nesër (1 maj) në ambientet e Panairit të Punësimit, ministri Veliaj tha se synon ato kompani që punësojnë sa më shumë njerëz. “Fondi mundëson pagesën për një vit të sigurimeve shoqërore dhe katër paga për të gjitha ato kompani që do të punësojnë punëtorë nga kategori të ndryshme, sidomos gra dhe vajza, të rinj, persona me aftësi të kufizuara ose nga komuniteti rom dhe egjiptian”, tha z. Veliaj.

Sipas tij, aksesin në këtë fond do ta kenë jo vetëm kompanitë e vendosura në aksin Tiranë-Durrës, por edhe bizneset e zonave rurale. “Përveç fondit 2.7 milion dollarë, do të kemi edhe një fond tjetër prej 5 milion dollarësh ekskluzivisht për biznesin fason. Do të vazhdojmë me hapjen e zyrave të reja të punës në çdo qark të vendit, por jam i lumtur që 5 zyrat e reja të punës që kemi hapur deri tani u kanë shërbyer më shumë se 6300 punëkërkuesve duke siguruar ndërmjetësimin e 5500 vendeve të punës”, vijoi ministri Veliaj.

Nga janari deri në 30 prill, në sistemin e zyrave të punësimit janë shpallur 10.757 vende të reja pune gjithsej. Sektorët ekonomikë që kanë publikuar më shumë vende të lira punë në këtë periudhë janë: industria përpunuese, tregtia, teknologji, transport-telekomunikacioni, hoteleri-turizëm, sektori i ndërtimit, i bankave etj.